Si Ndihmojnë Udhëtimet në një Jetë më të Shëndetshme?

Një valixhe. Një itinerar i thjeshtë. Një shpirt që ka nevojë të shkëputet. Kështu ka nisur shumë nga udhëtimet e mia. Jo gjithmonë për “pushim”, por shpesh për rigjenerim.

Shëndeti, për mua, nuk është vetëm forma trupore, dieta e saktë, apo oraret e ushtrimeve. Është gjendje mendore, balancë emocionale, ndjesia që po jeton – jo vetëm po funksionon. Dhe në këtë udhëtim që quajmë jetë, pak gjëra ndihmojnë më shumë se… udhëtimi vetë.

1. Udhëtimet të nxjerrin nga autopiloti

Në përditshmëri, edhe rutina më e mirë shëndetësore mund të bëhet robotike. Zgjohu, haje mëngjesin, puno, ushtrohu… Por trupi dhe mendja kanë nevojë për surprizë, për jetë reale, për diçka që i “zgjon” shqisat.

Kur udhëtoj, çdo gjë është e re: aroma e një tregu lokal, një shëtitje pa destinacion, një vakt i panjohur. Dhe kjo e ngacmon trurin tim. E mbush me dopaminë të pastër, të natyrshme. Një nga hormonët më të fuqishëm të mirëqenies.

2. Lidhja me natyrën dhe me ritmet natyrale të trupi

Nuk ka wifi në majë të një mali. Nuk ka njoftime në det. Por ka diçka më të fuqishme: qetësi. Rrahjet e zemrës bien. Mendimet e turbullta ulen. Fryma thellohet.

Kam ecur zbathur në rërë dhe kam ndjerë si stresi largohej nga kyçet e këmbëve. Kam ndenjur në ballkonin e një hoteli të thjeshtë dhe ndjeva më shumë paqe se në çdo vend luksoz. Sepse trupi e do natyrën – dhe udhëtimet janë një ftesë për të takuar sërish veten e vërtetë.

3. Larg familjes? Jo. Më afër se kurrë.

Shpesh udhëtoj me familjen time. Dhe çdo udhëtim bëhet një histori. Nuk ka nevojë për shumë: një shëtitje në rrugët e një qyteti të vogël, një darkë e thjeshtë në rrugë buzë detit, një lojë e improvizuar me tim bir në një aeroport që presim fluturimin.

Udhëtimet na afrojnë. Na largojnë nga detyrat dhe na afrojnë te njëri-tjetri si njerëz. Si partnerë. Si baba dhe bir. Dhe kjo është shëndeti i marrëdhënieve – që nuk matet me analiza, por me ndjesi të thella.

4. Rikthimi pas udhëtimit është më i fortë

Kur kthehem nga një udhëtim, jam më i qartë. Më i pranishëm. Më i gjallë. Në punë, në krijim, në përmbajtje, në mënyrën si e ushqej veten dhe të tjerët. Dhe nuk është çudi: kur pushon truri, rigjenerohet edhe trupi.

5. Udhëtimet të mësojnë të hash me vetëdije

Ushqimi gjatë udhëtimeve është përvojë. Jo thjesht kalori. Të hash ngadalë, të shijosh çdo gjë të re, të kuptosh kulturën përmes një pjate… është një nga format më të bukura të ushqimit të vetëdijshëm. Dhe kjo të mëson si të hash edhe kur je në shtëpi. Jo me faj, por me ndjesi.

Në fund të ditës…

… nuk ka rëndësi nëse udhëtimi është një fundjavë në jug, një fluturim jashtë shtetit apo thjesht një shëtitje 30 minuta larg shtëpisë. E rëndësishme është që të dalësh pak nga vetja që e njeh dhe të takosh një version të ri të vetes.

Udhëtimet nuk janë luks. Janë terapi.

Nëse e ke ndjerë lodhjen që s’të lë të marrësh frymë, nëse je ndjerë bosh edhe kur ke ndjekur çdo rregull të një diete, nëse e ke humbur motivimin për t’u kujdesur për veten… ndoshta nuk të mungon një vitaminë. Të mungon një udhëtim.