Ka një moment në jetë kur lodhesh. Jo nga puna. Jo nga njerëzit. Por nga zëri i brendshëm që s’të lë të qetë. Ai zë që të thotë se ke shumë gjëra, shumë detyra, shumë angazhime, shumë zhurmë.

Pikërisht atëherë kuptova se nuk më mungonte asgjë – përveç hapësirës për të marrë frymë.

Dhe aty filloi rruga ime drejt minimalizmit.

Jo thjesht më pak gjëra – por më shumë qartësi

Minimalizmi nuk do të thotë të heqësh dorë nga gjërat që do. Por të zgjedhësh me vetëdije çfarë ka vërtet rëndësi. Në shtëpi. Në punë. Në mendje.

Nuk bëra ndonjë revolucion. Por fillova me hapa të vegjël.
Një ditë i dhurova rrobat që nuk i kisha veshur prej më shumë se një viti.
Një tjetër, sistemova tryezën e punës nga çdo gjë që nuk më duhej.

Çuditërisht, kur ambienti rreth meje u bë më i pastër, edhe mendja ime filloi të qetësohej.

Çfarë më mësoi minimalizmi?

1. Më pak zgjedhje = më pak stres

Të kesh më pak rroba në dollap më ka ndihmuar të vishëm më thjesht, më shpejt, më me stil. Sepse gjithçka që mbaj më përfaqëson. Nuk kam më “s’kam çfarë të vesh”, por “çfarë dua të përçoj sot?”.

2. Hapësira e pastër = mendje më kreative

Për krijuesit, ambienti ka shumë ndikim. Kur tryeza ime është e rregullt, kur nuk kam rrëmujë në studio apo telefon, idetë rrjedhin më natyrshëm. Gjërat e tepërta më ngatërronin vëmendjen. Tani, hapësira më frymëzon.

3. Minimalizmi në ushqim = më shumë vetëdije

Edhe në ushqim e aplikoj. Jo me ekstremizma, por me thjeshtësi. Pjata të pastra, përbërës të pakët, por cilësorë.
Sa më e thjeshtë receta, aq më e lehtë tretja, dhe aq më shumë vlerë ndiej në çdo kafshatë.

Minimalizmi emocional

Nuk ndalet te gjërat fizike. Vlen edhe për marrëdhëniet.
Kam mësuar të mos ruaj marrëdhënie që më lodhin. Të mos mbaj kontakte vetëm nga faji apo zakon. Të mos më ndjekë kushdo në jetën time – por kush rezonon me të.

Kam mësuar të them jo. Me respekt. Me qartësi. Dhe çdo herë që them “jo” ndaj diçkaje që s’më shërben, i them “po” një versioni më të qetë të vetes sime.

Si të fillosh edhe ti? (Pa presion, pa panik)


Minimalizmi më mësoi një të vërtetë të thjeshtë:

Gjithçka që më duhet për të qenë i qetë, e kam tashmë.
E kam tek përqafimi i Anisës. Tek buzëqeshja e Eanit. Tek ajri i pastër i mëngjesit. Tek një ditë me më pak gjëra, por me më shumë prani.