Ka një moment të ditës që për mua është si një takim i shenjtë me veten – mëngjesi. Jo sepse jam nga ata që zgjohen duke kënduar (edhe pse më ndodh ndonjëherë), por sepse vite më parë kuptova që mënyra si e nis ditën ndikon absolutisht gjithçka që vjen pas.

Nisja ime e dikurshme…

Ka pasur një kohë kur zgjohesha në minutën e fundit, i kapluar nga paniku i mesazheve, përgjegjësive, zhurmës. Ha pa menduar. Vrapo. Puno. Harrimi i vetes ishte mënyra ime për të mbijetuar. Dhe çuditërisht, nuk më mungonte asgjë – përveç qetësisë. Përveç një ndjenje që dita ishte vërtet e imja.

Gjithçka ndryshoi kur vendosa ta trajtoj mëngjesin si një rit.

Mëngjesi im sot duket ndryshe. Dhe më ka ndryshuar mua.

Zgjohem herët. Pa alarm. Trupi im e di tashmë. Nuk kap telefonin për të parë Instagramin. Në vend të kësaj, ulem në buzë të shtratit, mbyll sytë dhe bëj 3 frymëmarrje të thella.

Duket e vogël si gjest, por është ftesa më e bukur për një ditë të re: “Eno, je këtu. Je gjallë. Le ta bëjmë këtë ditë të vlefshme.”

Pastaj, ujë me limon.

Jo për modë, por sepse më zgjon sistemin tretës dhe më kujton: kujdesu për veten që tani.

Ushqimi që më ushqen më shumë se barkun.

Mëngjesi është zakonisht i kripur dhe proteinik. Mund të jetë një tost me vezë dhe avokado, ndonjë smoothie me qumësht bajame ose kefir dhe gjalpë kikiriku ose një pjatë me perime të pjekura nga nata më parë. S’e bëj me fiksime kalorie, por me ndjesi: dua të jem energjik, jo i rënduar.

Më pas, pak lëvizje.

Nuk është gjithmonë stërvitje. Ndonjëherë bëj shtrirje. Ndonjëherë dal për ecje. Ndonjëherë thjesht vendos muzikë dhe kërcej, shpesh dhe në dush. Po, edhe ky quhet aktivitet fizik. Dhe ndonjëherë është më i dobishëm se 100 squats.

Dhe vetëm pas kësaj, fillon pjesa tjetër e ditës.

Kur ulem për të punuar, për të folur me ju, për të krijuar, për të përballuar sfida… nuk jam më në mbijetesë. Jam në krijim. Jam i lidhur me veten. Me qëllimin. Me tokën.


Disa sugjerime për mëngjesin tënd:


Nëse më pyet mua se si e kam ndërtuar këtë version të vetes që sheh sot – do të të them: me mëngjese të kujdesshme, jo me mrekulli.

Sepse jeta nuk ndryshon nga një natë, por nga mënyra si zgjohemi çdo mëngjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *